Përfshirja më efektive e qytetarëve në qeverisjen vendore në qarkun e Korçës

Gjatë periudhës gusht 2018 – prill 2019, SCI në bashkëpunim me shoqatën “Gruaja në Zhvillim” në Korçë ndërmorën një nismë për përmirësimin e performancës së qeverisjes vendore në qarkun e Korçës përmes funksionimit efektiv dhe novator të mekanizmave për pjesëmarrjen e qytetarëve në nivelin e qeverisjes vendore në këtë qark.

Përmes vlerësimit të mekanizmave egzistues për përfshirjen e qytetarëve në qeverisjen vendore dhe diskutimeve me qytetarët në gjashtë bashki të qarkut Korçë (Bilisht, Pogradec, Ersekë, Pustec, Korçë, Maliq), SCI dhe shoqata “Gruaja në Zhvillim” nxorën në pah praktikat më të mira dhe problemet lidhur me përfshirjen e qytetarëve në qeverisjen vendore në këtë qark. Ky proces shërbeu edhe për të identifikuar të ashtuquajturit ‘agjentë të ndryshimit’. Këta janë qytetarë aktivë që shërbejnë si pika kryesore në përpjekjet e komunitetit ku ata jetojnë, për të adresuar problemet, shqetësimet dhe sugjerimet e qytetarëve lidhur me institucionet e qeverisjes lokale. SCI krijoi një platformë online (http://agjentetendryshimit.com/) për të paraqitur hartën e “agjentëve të ndryshimit” të pranishëm në çdo rajon në të gjashtë bashkitë e qarkut të Korçës. SCI nënshkroi, po ashtu, një  Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Qarkut, duke siguruar kështu përkushtimin e institucioneve të qeverisjes vendore për të bashkëpunuar me ‘agjentët e ndryshimit’ në mënyrë që këta të fundit t’i informojnë komunitetet për çështje të ndryshme që lidhen me qeverisjen vendore dhe t’ju përcjellin institucioneve përkatëse shqetësimet e qytetarëve. Projekti i titulluar “Qeverisja komunitare: Sfidat e funksionimit të mekanizmave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qarkun e Korçës” u financua nga LëvizAlbania.

Fuqia e Vajzave të Ballkanit

Në shkurt 2019, SCI organizoi në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë ekspozitën fotografike Fuqia e Vajzave të Ballkanit, e cila përmbylli veprimtaritë në kuadër të një nisme rajonale të ndërmarrë nga pesë organizata partnere: SCI në Shqipëri; Këshilli Kombëtar i Rinisë në Maqedoninë e Veriut (NYCM); iACT në Malin e Zi; Organizata për Promovimin e Aktivizmit (OPA) në Serbi; dhe Qendra Artpolis – Arti dhe Komuniteti nga Kosova.

Kjo nismë e financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (westernbalkansfund.org) angazhoi rreth 100 vajza nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor dhe i pajisi ato me aftësi dhe mjete për të reflektuar në mënyrë kritike mbi rolin e tyre në shoqëri dhe në formësimin e së ardhmes së vendit të tyre dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përdorur fotografinë artistike si mjet shprehjeje. Mbi 500 foto nga 75 vajza pjesëmarrëse u bënë publike në platformën virtuale https://bgp.socialcontractinstitute.org/ , e cila ju dha mundësi vizitorëve të votojnë për fotografitë më të mira. Me fotot më të mira të vajzave nga të pesë vendet që morën pjesë në këtë nismë, u prodhuan 500 kalendarë për vitin 2019, të cilët u shpërndanë në të pesë vendet pjesëmarrëse në këtë nismë. Nisma Fuqia e Vajzave të Ballkanit ju dha vajzave pjesëmarrëse mundësinë që të njihen me njëra-tjetrën dhe të zhvillojnë, përmes fotografisë dhe shkëmbimit të mendimeve në dy faqe të dedikuara në Facebook, një vizion të përbashkët mbi shoqërinë në vendin e tyre dhe në Ballkanin Perëndimor ku gratë dhe vajzat mund e duhet të luajnë një rol po aq aktiv sa burrat dhe djemtë, në përparimin në integrimin e këtyre vendeve në BE. Artistja e mirënjohur shqiptaro-britanike, Lala Meredith Vula, dhe artistë me përvojë nga të pesë vendet pjesëmarrëse –  Blerta Kambo nga Shqipëria, Fjolla Besimi nga Kosova, Maja Đurić nga Mali i Zi, Marija Đoković dhe Tamara Zidar nga Serbia dhe Tomislav Georgiev nga Maqedonia e Veriut – ju ofruan vajzave trajnim në fotografi dhe i ndihmuan gjatë përgatitjes së fotografive për konkurim. Organizata partnere ju ofruan vajzave informacion dhe forume për diskutim lidhur me procesin e integrimit në BE të vendit të tyre dhe të rajonit. Ekspozita Fuqia e Vajzave të Ballkanit, e cila u përmbyll me dhënien e çmimeve për fotografitë më të mira, do të hapet gjatë vitit 2019 edhe në disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi im për vajzat që kanë pasion fotografinë, është të vazhdojnë të fotografojnë në mënyrën dhe stilin e tyre. Në rast se ky projekt do të zhvillohej përsëri, unë do t’ua sugjeroj të gjitha vajzave që merren me fotografi.  Edhe pse zgjati pak, ka qenë një eksperiencë e papërshkruar. Uroj që ky projekt të ketë përkrahje edhe më tej, dhe sigurisht dëshira ime është që të udhëtojë nëpër të gjitha vendet pjesëmarrëse të Ballkanit.”

Arbnora Memeti (pjesëmarrëse nga Maqedonia e Veriut)

Përmirësimi i dhënies dhe zbatimit të dënimeve alternative

Praktikat më të mira ndërkombëtare dhe studimet përkatëse dëshmojnë se dënimet alternative janë një qasje efikase për të ulur shkallën e përsëritjes së krimeve dhe për të përmirësuar ri-integrimin në shoqëri të të dënuarve për krime të lehta, si dhe të atyre që vuajnë një dënim gjyqësor për herë të parë.

Gjatë periudhës prill 2018 – prill 2019, SCI ndërmori një nismë për t’i shërbyer rritjes së numrit dhe cilësisë së dënimeve alternative të dhëna nga gjykatat dhe të monitoruara nga zyrat e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke u fokusuar, si fillim, në qarqet gjyqësore Tropojë, Dibër, Krujë, Përmet, Pogradec dhe Sarandë. Për të zbatuar projektin, SCI angazhoi një grup studentësh pasuniversitarë të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, të cilët punuan nën drejtimin e znj. Vjollca Meçe, eksperte e njohur ligjore dhe ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nga studimi i rreth 140 vendimeve gjyqësore që përmbanin dënime alternative të dhëna nga gjykatat e rretheve gjyqësore në vëzhgim, ekspertët e SCI konstatuan se gjykatat kanë qenë të kujdesshme në vlerësimin e të gjitha rasteve, për të cilat kanë dhënë një dënim alternativ; kanë arsyetuar mirë vendimet e tyre dhe gjithmonë kanë marrë paraprakisht edhe pëlqimin e të pandehurit përpara se të japin një dënim alternativ, siç e kërkon ligji. Në gjykatat e rretheve gjyqësore Dibër, Krujë, Përmet, Pogradec, Sarandë e Tropojë, ka pasur një rritje progresive të aplikimit të dënimeve alternativave. Po ashtu, Shërbimi i Provës, i cili filloi punën 10 vjet më parë, është angazhuar gjithnjë e më shumë në rritjen e cilësisë së zbatimit të dënimeve alternative të dhëna nga gjykata.

en_USEnglish