Fuqia e Vajzave të Ballkanit

773 Views

Në shkurt 2019, SCI organizoi në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë ekspozitën fotografike Fuqia e Vajzave të Ballkanit, e cila përmbylli veprimtaritë në kuadër të një nisme rajonale të ndërmarrë nga pesë organizata partnere: SCI në Shqipëri; Këshilli Kombëtar i Rinisë në Maqedoninë e Veriut (NYCM); iACT në Malin e Zi; Organizata për Promovimin e Aktivizmit (OPA) në Serbi; dhe Qendra Artpolis – Arti dhe Komuniteti nga Kosova.

Kjo nismë e financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (westernbalkansfund.org) angazhoi rreth 100 vajza nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor dhe i pajisi ato me aftësi dhe mjete për të reflektuar në mënyrë kritike mbi rolin e tyre në shoqëri dhe në formësimin e së ardhmes së vendit të tyre dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përdorur fotografinë artistike si mjet shprehjeje. Mbi 500 foto nga 75 vajza pjesëmarrëse u bënë publike në platformën virtuale https://bgp.socialcontractinstitute.org/ , e cila ju dha mundësi vizitorëve të votojnë për fotografitë më të mira. Me fotot më të mira të vajzave nga të pesë vendet që morën pjesë në këtë nismë, u prodhuan 500 kalendarë për vitin 2019, të cilët u shpërndanë në të pesë vendet pjesëmarrëse në këtë nismë. Nisma Fuqia e Vajzave të Ballkanit ju dha vajzave pjesëmarrëse mundësinë që të njihen me njëra-tjetrën dhe të zhvillojnë, përmes fotografisë dhe shkëmbimit të mendimeve në dy faqe të dedikuara në Facebook, një vizion të përbashkët mbi shoqërinë në vendin e tyre dhe në Ballkanin Perëndimor ku gratë dhe vajzat mund e duhet të luajnë një rol po aq aktiv sa burrat dhe djemtë, në përparimin në integrimin e këtyre vendeve në BE. Artistja e mirënjohur shqiptaro-britanike, Lala Meredith Vula, dhe artistë me përvojë nga të pesë vendet pjesëmarrëse –  Blerta Kambo nga Shqipëria, Fjolla Besimi nga Kosova, Maja Đurić nga Mali i Zi, Marija Đoković dhe Tamara Zidar nga Serbia dhe Tomislav Georgiev nga Maqedonia e Veriut – ju ofruan vajzave trajnim në fotografi dhe i ndihmuan gjatë përgatitjes së fotografive për konkurim. Organizata partnere ju ofruan vajzave informacion dhe forume për diskutim lidhur me procesin e integrimit në BE të vendit të tyre dhe të rajonit. Ekspozita Fuqia e Vajzave të Ballkanit, e cila u përmbyll me dhënien e çmimeve për fotografitë më të mira, do të hapet gjatë vitit 2019 edhe në disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi im për vajzat që kanë pasion fotografinë, është të vazhdojnë të fotografojnë në mënyrën dhe stilin e tyre. Në rast se ky projekt do të zhvillohej përsëri, unë do t’ua sugjeroj të gjitha vajzave që merren me fotografi.  Edhe pse zgjati pak, ka qenë një eksperiencë e papërshkruar. Uroj që ky projekt të ketë përkrahje edhe më tej, dhe sigurisht dëshira ime është që të udhëtojë nëpër të gjitha vendet pjesëmarrëse të Ballkanit.”

Arbnora Memeti (pjesëmarrëse nga Maqedonia e Veriut)

en_USEnglish