Buletini #2

904 Views

korrik – dhjetor 2019

Të dashur miq e kolegë,

Kam kënaqësinë t’ju paraqes numrin e dytë të buletinit të Institutit për Kontratën Shoqërore (SCI).  Përmes këtij buletini dëshirojmë të ndajmë me ju një seri nismash të rëndësishme që SCI ka ndërmarrë gjatë këtyre muajve, të cilat kontribuojnë në forcimin e qeverisjes së mirë, rritjen e angazhimit qytetar në jetën publike e vendim-marrje, dhe promovimin e zhvillimit të qendrueshëm në Shqipëri dhe rajon.

Urojmë që ky buletin të shërbejë si një mënyrë ndërveprimi e SCI me qytetarët, me organizata të tjera të shoqërisë civile, si dhe me institucione publike e aktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe shoqërorë. Mirëpresim sugjerimet tuaja për këtë buletin, si dhe për punën e SCI (mund të na shkruani në adresat e shënuara në fund të këtij buletini).

Përshëndetje,

Olda Ceta

Drejtore Ekzekutive 


Qeverisja e Mirë

Dënime Alternative – Alternativa për një Jetë më të Mirë

Në  shtator  2019  SCI  filloi  zbatimin  e projektit “Dënime Alternative – Alternativa për një Jetë më të Mirë”, i financuar nga programi “MATRA – Sundimi i Ligjit” i Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri. SCI e ndërtoi punën për këtë projekt mbi arritjet e projektit   “Përmirësimi i Dhënies dhe Zbatimit të Dënimeve Alternative”, përmes të cilit SCI identifikoi disa shqetësime lidhur me zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore të Shërbimit të Provës në Shqipëri. Projekti synon të përmirësojë dhënien dhe zbatimin e dënimeve alternative në Shqipëri duke hartuar një manual praktik për zbatimin e ligjit të Shërbimit të Provës dhe duke trajnuar  gjyqtarët e prokurorët (në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës), avokatët (në bashkëpunim me Shkollën e Avokatisë), dhe punonjës të Shërbimit të Provës (në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit të Provës). SCI do të përgatisë dhe do t’ju ofrojë të gjithë këtyre aktorëve një libër reference (manual) për zbatimin e ligjit mbi Shërbimin e Provës, dhe do t’i pajisë ata me njohuri dhe aftësi për ta zbatuar me efektivitet këtë kornizë ligjore.


Angazhimi Qytetar

Nën të njëjtin Zë

Diskriminimi gjinor është paragjykim ose diskriminim i bazuar në gjininë e një personi dhe ndodh veçanërisht për sa i përket pabarazisë në vendin e punës. Në Shqipëri, ka segmente të shoqërisë ku burra dhe gra, djem dhe vajza, përfshijnë partneritete të barabarta në jetën profesionale dhe private, por për fat të keq realitetet e tyre dhe puna e tyre nuk njihen gjerësisht nga publiku. Kur flasim për barazinë gjinore, zakonisht jemi të përqendruar në nxjerrjen në pah të shembujve të grave viktima të dhunës, duke i vendosur ato në një rol mbrojtës dhe duke folur se si t’i fuqizojmë ato.

Edhe raportimi i mediave është përqendruar kryesisht në shkeljen e të drejtave të grave dhe diskriminimit me bazë gjinore kryesisht. Në anën tjetër, praktikat më të mira ndërkombëtare kanë treguar se ne nuk duhet të fusim në kornizë çështjet gjinore vetëm si çështje të grave, por duhet të theksojmë rolin që burrat dhe gratë luajnë në familje, në punë ose në shoqëri në përgjithësi. Në qershor 2019, SCI filloi zbatimin e projektit “Nën të njëjtin Zë” qëllimi i të cilit është të nxjerrë në pah rastet kur burrat dhe gratë bashkëpunojnë së bashku duke treguar shembuj pozitivë për t’u ndjekur nga burra dhe gra në Shqipëri dhe veçanërisht nga djem dhe vajza në mënyrë që të kemi një shoqëri të drejtë dhe të barabartë në të ardhmen. SCI do të prodhojë 10 podkaste që do të shpërndahen përmes Radios Kombëtare “Radio Tirana” dhe platformave në internet, në një seri me titull “Nën të njëjtin Zë”, duke u përqëndruar në marrëdhëniet midis burrave dhe grave në Shqipëri, bazuar në histori reale. Kjo iniciativë do të promovojë ndryshimin duke siguruar shembuj positive mbi partneritetet e balancuara gjinore që avancojnë kauza përparimtare. Ky projekt financohet nga Instituti i Menaxhimit Lindje Perëndim (EWMI).


Udhërrëfyesit e Rinj

Më 2 tetor 2019, SCI në bashkëpunim me Qendrën ISO në Gjirokaster filloi një iniciativë të re me titull “Udhërrëfyesit e Rinj” që synon të pasurojë burimet turistike të rajonit të Gjirokastrës përmes angazhimit të të rinjve. SCI do të zgjedhë 25 djem dhe vajza që do të shërbejnë si guida turistikë për bashkitë dhe / ose fshatrat ku ata jetojnë. “Udhërrëfyesit e Rinj” do të trajnohen dhe do të marrin njohuri mbi trashëgiminë kulturore, aftësitë komunikuese dhe praktika të ndryshme se si të promovojnë turizmin. Ata gjithashtu do të krijojnë një inventar të burimeve turistike në Gjirokastër dhe bazuar në ato materiale do të përgatisin dy itinerare / shtigje të reja për turistët. Kjo përvojë do të jetë e dobishme për ta duke rritur shanset e tyre për t’u punësuar. SCI do të promovojë “Udhërrëfyesit e Rinj” në të gjitha hotelet, restorantet dhe vendet e tjera turistike në Gjirokastër. Ky projekt financohet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe është një projekt 9-mujor.


Diskriminimi i grupeve të margjinalizuara (romë, pakica, të rinj me aftësi të kufizuara, gra të reja dhe migrantë) është akoma i përhapur në të gjithë Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, këta individë përfshihen në aktivitete të rëndësishme dhe krijojnë një jetë vërtet të mirë profesionale, por fatkeqësisht suksesi i tyre nuk njihet gjerësisht dhe media rrallë i mbulon këto shembuj. Në shtator 2019, SCI filloi zbatimin e projektit “NE”, një projekt që synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për iniciativat rinore në Shqipëri përmes fuqisë së roleve pozitive. SCI do të zgjedhë 50 të rinj nga Tirana, Korça, Gjirokastra, Fieri dhe Durrësi (të rinj të papunë, grupe të pakicave rome, të rinj me aftësi të kufizuara, gra të reja, emigrantë të kthyer) të cilët do të pajisen me aftësi praktike që të jetojnë një jetë të pavarur.. Për të rritur ndërgjegjësimin, SCI do të prodhojë 10 video mesazhe nga përfaqësuesit e komuniteteve në nevojë si një mënyrë për të motivuar të rinjtë duke ju rrëfyer histori suksesi nga persona që vijnë nga i njëjti komunitet. Ky projekt financohet nga GIZ Albania.


Zhvillimi i Qëndrueshëm

Të Rinjtë dhe Bujqësia

Në të gjithë botën, bujqësia sot po përballet me një problem të madh, nuk është tërheqëse, veçanërisht për të rinjtë. Shumica e të rinjve mendojnë se të punosh në bujqësi do të thotë shumë përpjekje për një çmim shumë të vogël. Për ta, ky sektor ofron pak mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës. Në tetor 2019, SCI ndërmori një iniciativë të re që synon të rrisë përfshirjen e të rinjve në sektorin e bujqësisë duke i trajnuar ata në ngritjen e kapaciteteve të tyre për të hyrë në tregun e punës në bujqësi. 50 të rinj e të reja që do të përzgjidhen nga SCI, do të përfitojnë një sërë aftësish dhe njohurish që mund t’i ndihmojnë të punësohen apo të vetëpunësohen. SCI do t’ju ofrojë këtyre të rinjve e të rejave trajnim edhe për mënyrën e krijimit të një biznesi të ri  në bujqësi. 20 prej tyre do të kryejnë një praktike njëmujore pranë bizneseve bujqësore, një mundësi kjo për të parë nga afër si funksionon një biznes në bujqësi, si dhe për të marrë këshilla praktike si të përfshihen në biznesin e bujqësisë si të punësuar ose të fillojnë biznesin e tyre.


Aktivitete të tjera dhe bashkëpunime

  • Në 18 – 22 shtator 2019, SCI e paraqiti ekspozitën “Fuqia e Vajzave të Ballkanit“ në Seanema Film Festival në Ulqin, Mali i Zi.
  • Në tetor 2019, SCI u çertifikua nga misioni i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri për pjesëmarrjen në programin e asistencës për zhvillimin e kapaciteteve të Projektit të Zhvillimit Qytetar dhe Bashkëpunimit në Shqipëri (ACDC), të financuar nga USAID/Shqipëri dhe zbatuar nga ANTTARC. Gjatë vitit 2019, ekspertët e ACDC ndihmuan SCI për të hartuar Planin e parë Strategjik, si dhe disa dokumenta të tjerë për menaxhimin e organizatës.
  • Gjatë vitit 2019, Koordinatorja e Projekteve të SCI, znj. Dea Miloti, mori pjesë në Programin e Akademisë së OJF-ve të organizuar nga Partnerët Shqipëri. Ky program ndihmon në rritjen e aftësive dhe zhvillimin profesional të drejtuesve të OJF-ve shqiptare për të krijuar organizata efektive që i shërbejnë publikut dhe palëve të interesuara.
  • Gjatë disa muajve, SCI i ofroi ndihmë teknike Qendrës Psiko-sociale “Vatra” me qendër në Vlorë në organizimin e festës së 20-vjetorit të organizatës. Ky  aktivitet  u  zhvillua në 20 nëntor 2019 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të niveleve të larta nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, përfaqësuesit  e  ambasadave të huaja, OJQ-të lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, etj.

Për pyetje e sugjerime, si dhe për t’u përfshirë në listën e shpërndarjes së Buletinit të SCI, ju lutem, na shkruani në adresën info@socialcontractinstitute.org ose në socialcontractinstitute@gmail.com

Instituti për Kontratën Shoqërore

Rr. “Reshit Çollaku”, ndr. 24, kati 2, apt. 5

Tiranë, 1001

E-mail: info@socialcontractinstitute.org/ socialcontractinstitute@gmail.com

www.socialcontractinstitute.org

en_USEnglish