Instituti për Kontratën Shoqërore (SCI)
Buletini #4
Korrik – Dhjetor 2020
I. VEPRIMTARI TË SCI
Udhërrëfyesit e Rinj
Gjatë muajve korrik – gusht 2020, të rinjtë e projektit “Udhërrëfyesit e Rinj” në Gjirokastër, punuan për përgatitjen e dy itinerareve të reja turistike rreth qendrës arkeologjike të Antigonesë dhe atraksione turistike të fshatit Peshtan. Turizmi kulturor dhe natyror ka filluar të eksplorohet vitet e fundit në Shqipëri dhe ka risjellë interesin tek banorët për të promovuar kulturën, historinë, kulinarinë dhe natyrën e zonës, kështu eksplorimi i Udhërrëfyesve të Rinj për të finalizuar dy itineraret e reja u bë më i lehtë me ndihmen e banorëve të këtyre zonave dhe Prof. Iris Pojani. SCI printoi 200 fletëpalosje me itinerare përreth Antigonesë dhe 200 fletëpalosje me itinerare të fshatit Peshtan, të cilat u shpërndanë në hotele, restorante, organizata rinore dhe në bashkinë e Gjirokastrës. Gjithashtu, u postuan në faqen e web të SCI dhe në facebook ku arritën mbi 1085 klikime. Në shtator 2020, SCI me 20 Udhërrëfyesit e Rinj finalizuan projektin me një video promovuese në pikat kryesore të qytetit të Gjirokastrës të cilat u prezantuan nga vetë të rinjtë. Disa nga pikat ishin: kalaja e Gjirokastrës, Obelisku, Pazari i Vjetër, Lagjia e Vjetër, Tuneli i Luftës së Ftohtë etj. Kjo video u shikua nga 27,659 njerëz në Facebook dhe u nda nga të tjerët 113 herë. Ky projekt, shërbeu në promovimin e të rinjve që punojnë si guida turistike por edhe në promovimin e qytetit të Gjirokastrës në kohë pandemie, ku turizmi nuk është njësoj i zhvilluar.
NE
‘’NE” është një projekt i financuar nga GIZ Albania, i cili u zbatua nga SCI në qarqet e Tiranës, Gjirokastrës, Korccës, Fierit dhe Durrësit dhe u finalizua me 30 shtator 2020 pas një periudhe implementimi 1 vjeccare. Pas realizimit të 10 video-mesazheve nga individë që kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre në sipërmarrje të ndryshme, SCI zhvilloi në 5 qarqet trajnimin me temë “Zhvillimi i Aftësive Personale dhe Aksesi në Tregun e Punës” ku ishin të pranishëm mbi 50 të rinj. Në këto trajnime u diskutua mbi problemet që të rinjtë ndeshin në tregun e punës, rolin e aktivizmit social në formimin e tyre dhe gjithashtu u ndanë histori suksesi të sipërmarrjeve të ngritura nga vetë ata. Në shtator 2020, u organizua një konkurs ide ku vajzat dhe djemtë pjesëmarrës në projekt aplikuan me idetë që kishin mbi krijimin e një start-up; ndër to një qendër rinore, qendër ku fëmijët mund të mësojnë pas shkolle, ndërtimi i një dyqani ku fermerët mund të shesin prodhimet e tyre dhe t’i tregtojnë në qytete të tjera, etj. Ky projekt u finalizua me 30 shtator 2020 por SCI do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë me eksperizë në rast se do të aplikojnë më idenë e tyre në krijimin e një start-up.
Të Rinjtë në Bujqësi
Gjatë muajve gusht-shtator, SCI organizoi trajnime në Tiranë, Shijak, Lushnje në kuadër të projektit “Të rinjtë në bujqësi”, financuar nga GIZ Albania. 50 të rinj e të reja përfituan një sërë aftësish dhe njohurish në krijimin e një biznesi në fushën e bujqësisë. Gjithashtu, ata patën rastin të vizitonin disa agro- biznese në Fushë-Prezë, Thumanë dhe në Lushnje me qëllim njohjen nga afër tregun e punës dhe krijimin e kontakteve me njerëz të cilët kanë investuar në fushën e bujqësisë në këto zona. Ky projekt u finalizua me sukses në 31 tetor 2020.
Alternativat e dënimit – Alternativa për një jetë më të mirë
Për projektin MATRA-Sundimi i Ligjit, ekspertët finalizuan Manualin mbi Dënimet Alternative (https://issuu.com/home/published/manual_mbi_denimet_alternative_ne_republiken_e_shq) duke prodhuar një material analitik dhe një udhëzues për të gjithë aktorët e përfshirë në vendimmarrje dhe proceset administrative në lidhje me dënimet alternative. Ky dokument do të shërbejë gjithashtu si bazë për fazën e dytë të projektit që konsiston në organizimin e trajnimeve me gjyqtarët, prokurorët, avokatët, oficerët e Shërbimit të Provës, etj. Trajnimet do të organizohen gjatë janar-shkurt 2021 në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, Shkollën e Avokatisë dhe Shërbimit të Provës në Shqipëri.
Grimca
Më 25 nëntor 2020, SCI ndërmori një iniciativë të titulluar “Grimca”. “Grimca” është një seri bisedash online, ku trajtohen tema të ndryshme me personazhe të njohur e të panjohur dhe me një audiencë interaktive. Qëllimi i kësaj iniciative është të ndihmojë në një kuptim më të mirë të diversitetit, në mënyrë që të krijojmë komunitete më gjithëpërfshirëse dhe kohezive përtej dallimeve kulturore, fetare, sociale dhe etnike duke sfiduar paragjykimet, stereotipet dhe diskriminimin. Prezantimi i kësaj nisme u organizua pikërisht me datë 25 nëntor, pasi është Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave. Në këtë seri të parë të “Grimca” ishte e ftuar si folëse Ina Kasimati, e cila ndau me ne historinë e saj dhe rrugëtimin e guximshëm për të dalë nga cikli i dhunës. Në kuadër të ditëve të aktivizmit kundër dhunës, i ftuari i dytë ishte Bledar Zeneli, i cili në profesion është Psikoterapist dhe aktualisht punon si Këshillues në Linjën e Këshillimit për Burra e Djem. Bledari na ofroi një qasje ndryshe të dhunës duke analizuar se cfarë ndodh në psikikën e një dhunuesi. Mbi 20 persona ishin pjesë e bisedës që u zhvillua në Zoom, të cilët diskutuan dhe ndanë lirisht mendimet dhe pyetjet e tyre. Kjo iniciativë është përkrahur me interes nga publiku, duke arritur mbi 3000 njerëz të cilët kanë parë seritë nw Facebook, duke zgjeruar kështu audiencën e SCI. Për të ndjekur seritë e zhvilluara derimë tani në “Grimca” dhe për t’u informuar mbi të ftuarit e ardhshëm, ju ftojmë në faqen tonë në Facebook: https://www.facebook.com/507859479395785/videos/109189790962206 dhe në Instagram si Social Contract Institute.