Përmirësimi i dhënies dhe zbatimit të dënimeve alternative

123 Views

Praktikat më të mira ndërkombëtare dhe studimet përkatëse dëshmojnë se dënimet alternative janë një qasje efikase për të ulur shkallën e përsëritjes së krimeve dhe për të përmirësuar ri-integrimin në shoqëri të të dënuarve për krime të lehta, si dhe të atyre që vuajnë një dënim gjyqësor për herë të parë.

Gjatë periudhës prill 2018 – prill 2019, SCI ndërmori një nismë për t’i shërbyer rritjes së numrit dhe cilësisë së dënimeve alternative të dhëna nga gjykatat dhe të monitoruara nga zyrat e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke u fokusuar, si fillim, në qarqet gjyqësore Tropojë, Dibër, Krujë, Përmet, Pogradec dhe Sarandë. Për të zbatuar projektin, SCI angazhoi një grup studentësh pasuniversitarë të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, të cilët punuan nën drejtimin e znj. Vjollca Meçe, eksperte e njohur ligjore dhe ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nga studimi i rreth 140 vendimeve gjyqësore që përmbanin dënime alternative të dhëna nga gjykatat e rretheve gjyqësore në vëzhgim, ekspertët e SCI konstatuan se gjykatat kanë qenë të kujdesshme në vlerësimin e të gjitha rasteve, për të cilat kanë dhënë një dënim alternativ; kanë arsyetuar mirë vendimet e tyre dhe gjithmonë kanë marrë paraprakisht edhe pëlqimin e të pandehurit përpara se të japin një dënim alternativ, siç e kërkon ligji. Në gjykatat e rretheve gjyqësore Dibër, Krujë, Përmet, Pogradec, Sarandë e Tropojë, ka pasur një rritje progresive të aplikimit të dënimeve alternativave. Po ashtu, Shërbimi i Provës, i cili filloi punën 10 vjet më parë, është angazhuar gjithnjë e më shumë në rritjen e cilësisë së zbatimit të dënimeve alternative të dhëna nga gjykata.

en_USEnglish