BULETINI #3

86 Views

Janar – Qershor 2020

Të dashur miq e kolegë,

Dëshiroj t’ju prezantoj me buletinin e tretë të Institutit për Kontratën Shoqërore (SCI). Gjatë kësaj periudhe SCI ndërmori një seri nismash të rëndësishme që synojnë të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit, në zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, si dhe përfshirjen e perspektivës gjinore në media, duke zgjeruar kështu jo vetëm rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe organizatave partnere, por edhe gamën e përfituesve direktë dhe indirektë.

Në muajin mars, vendi u përball me pandeminë globale shkaktuar nga virusi Covid-19, ku e vetmja mënyrë për tu ndjerë i sigurt ishte respektimi i masave të distancimit fizik dhe qëndrimi në karantinë. Për këtë arsye, gjatë muajve mars-prill, SCI u detyrua të vijojë veprimtarinë e saj online dhe të përshtasë aktivitetet në platformat virtuale (ZOOM, GoogleMeet, Skype, etc.). Më poshtë do të njiheni me të rejat e fundit nga puna jonë gjatë periudhës janar-qershor 2020.

Përshëndetje,

Olda Ceta

Drejtore Ekzekutive 

 

I. VEPRIMTARI TË SCI

Në të njëjtin Zë

Gjatë muajve janar- shkurt 2020, SCI finalizoi 10 podkaste nën serinë “Në të njëjtin Zë”, mbështetur financiarisht nga Instituti Menaxhimit Lindje- Perëndim me fonde të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri. Më 8 mars 2020, në kuadër të ditës së gruas, SCI lancoi këto podkaste në website, në faqen zyrtare në Facebook dhe në platformën SoundCloud. Këto seri podkastesh rrëfejnë histori të bashkëpunimit të burrave dhe grave në jetën personale dhe profesionale me qëllim promovimin e përpjekjeve për një shoqëri të drejtë e te barabarte. Në këtë link: https://socialcontractinstitute.org/sq/ne-te-njejtin-ze/ do të mund të dëgjoni 10 podkastet dhe historitë e disa personazheve si; Suela Bako dhe Romir Zalla, Fjodora Fjora, Anisa Ymeri dhe Mentor Kikia, Brikena Metaj, etj. Për të arritur një audiencë më të gjerë, SCI vendosi t’i transmetojë podkastet edhe në Radion Kombëtare “Radio Tirana” (99.5 MHz) dhe në “Club FM” (100.4 MHz). Postimet e podkasteve në rrjetet sociale të SCI kanë arritur një audiencë prej 13, 163 personash dhe në SoundCloud janë dëgjuar 419 herë dhe shkarkuar 36 herë, duke e finalizuar këtë projekt me sukses.

 

Udhërrëfyesit e Rinj

Në janar 2020, SCI në bashkëpunim me Qendrën Iso në Gjirokastër, shpallën në faqen e Facebook një thirrje për shprehje interesi për të rekrutuar të rinj pjesë e projektit “Udhërrëfyesit e Rinj”. Mbi 50 të rinj e të reja shfaqën interesin e tyre duke aplikuar në këtë thirrje dhe më 11 shkurt stafi i projektit dhe ekspertja Prof. Iris Pojani zhvilluan intervista për të përzgjedhur 25 djem e vajza të cilët përmbushnin kriteret e projektit. Më 18 shkurt, SCI organizoi trajnimin e parë me temë: “Trashëgimia kulturore dhe burimet turistike në qarkun Gjirokastër”, drejtuar nga Prof. Iris Pojani. Në trajnim ishin të pranishëm 27 të rinj e të reja nga mosha 19-30 vjeç, të cilët ndanë eksperiencat e tyre si guida turistike dhe morën informacione mbi zhvillimet arkeologjike dhe destinacione potenciale turistike në Gjirokastër. Në sesionin e dytë të trajnimit ishte e ftuar Joanna Velazquez nga Detroit, Michigan. Joanna punon si organizatore e komunitetit në qytetin ku jeton dhe ndau eksperiencën e saj me të rinjtë, duke treguar impaktin që secili prej nesh ka në komunitet dhe fuqinë për të sjellë ndryshimin duke kontribuar. Pjesëmarrësit në trajnim u frymëzuan nga eksperienca e Joanna-s dhe shkëmbyen ide për ndryshimet që ata duan të shohin në Gjirokastër dhe rolin që luan komuniteti. Pas trajnimit, stafi i SCI organizoi një vizitë tek Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër, ku njëra nga pjesëmarrëset u tregua e gatshme të ishte udhërrëfyese, nisur edhe nga eksperianca e mëparshme në këtë muze. Me 22 qershor u organizua trajnimi i dytë mbi aftësitë komunikuese, drejtuar nga Dr. Iris Luarasi. Trajnimi u zhvillua në ambjentet e Universitetit “Eqrem Çabej”, duke zbatuar rregullat e distancimit fizik për shkak të virusit Covid-19. Të rinjtë pjesëmarrës mësuan më shumë mbi komunikimin dhe etikën që duhet pasur parasysh në guida. Pas trajnimit, “Udhërrëfyesit e Rinj” u pajisën me çertifikata pjesëmarrje në trajnimet e këtij projekti. Ndërkohë, SCI vazhdon përgatitjen e dy itinerareve të reja turistike – destinacionet rreth qendrës arkeologjike të Antigonesë dhe atraksione turistike të fshatit Peshtan.

 

NE

Në muajin mars, SCI finalizoi 10 video-mesazhe në kuadër të projektit “Ne”, mbështetur financiarisht nga GIZ-ProSEED. Këto video shërbejnë për të motivuar të rinjtë që i përkasin komuniteteve në nevojë apo të margjinalizuara si të varfër, emigrantë të kthyer, viktima të dhunës etj. Videot u realizuan me bashkëpunimin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH2) dhe transmetohen cdo të shtunë tek emisioni me të njëjtin titull. Këto histori suksesi tregojnë rrugëtimin frymëzues të individëve që kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre pavarësisht sfidafe që iu ka paraqitur jeta. Videot e prodhuara nga ky projekt mund t’i ndiqni në website-n e SCI: https://socialcontractinstitute.org/sq/video-2/ ose në youtube: https://www.youtube.com/playlist?list=PLqJ-ëëvm73mf26vUY_FDgË6_3FaLBQ5kë. Ky projekt po zbatohet në qarkun e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Fierit dhe Durrësit dhe synon të pajisë të rinjtë me aftësi praktike që i ndihmojnë ata të jetojnë një jetë të pavarur.

 

Të Rinjtë në Bujqësi

Në kuadër të projektit “Të Rinjtë në Bujqësi”, SCI ka përzgjedhur 50 të rinj e të reja nga Tirana, Durrësi dhe Lushnja të cilët do të përfitojnë një sërë njohurish në sektorin e bujqësisë. Gjatë muajve janar-mars, SCI zhvilloi takime informuese me te rinjte mbi zhvillimin e aktiviteteve dhe mënyrën si do të organizohet praktika në bizneset bujqësore. SCI lidhi marrëveshje me 20 bizneset bujqësore në zona të ndryshme të Shqipërisë për t’i dhënë mundësi të rinjve të ndjekin nga afër punën e një biznesi, si dhe për të marrë eksperiencë praktike. Ndërkohë, stafi i projektit ka përgatitur modulet e trajnimeve për të zhvilluar aktivitetet trajnuese. Ky projekt mbështetet financiarisht nga GIZ SRD dhe përfundon në tetor 2020.

 

Dënimet Alternative- Alternativë për një jetë më të mirë

Link: Manual-mbi-Denimet-Alternative-ne-Republiken-e-Shqiperise

Projekti “Dënimet Alternative- Alternativë për një jetë më të mirë” i financuar nga programi “MATRA– Sundimi i Ligjit” i Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri është një projekt që po zbatohet ne nivel kombëtar ku janë të përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe Zyrat Vendore të Shërbimit të Provës në 22 rajone, 6 Gjykatat e Apelit, 61 bashkitë e RSH (jo vetëm punonjësit e zyrave të qeverisjes vendore por edhe përfaqësuesit e OSHC-ve lokale)  . Në janar 2020 përfundoi vlerësimi i 766 çështjeve gjyqësore të vitit 2018 dhe 2019 (apel) për rrethet gjyqësore Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë. Në qershor 2020 përfundoi Manuali mbi Dënimet Alternative në Republikën e Shqipërisë, manual që do t’i shërbejë të gjithë aktorëve në proces. Faza e dytë e projektit vijon me trajnimet në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, Shkollën e Avokatisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës, institucione të qeverisjes vendore dhe OJF lokale.

 

II. Aktivitete të Tjera

  • Qeveria e Shqipërisë në vijimësi të realizimit të masave të parashikuara në Udhërrëfyesin për Shoqerinë Civile, miratuar me Vendimin Nr. 539 datë 25.07.2019 “Për Miratimin e Udhërrëfyesit për Politikën Qeverisëse drejt një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile” është angazhuar në përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin e OJF-ve. Ministria e Drejtësisë si institucioni përgjegjës në grupin ndërinstitucional të punës ka hartuar Projektligjin “Për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse”, i cili synon minimizim të procesit të regjistrimit të organizatave jofitimprurëse por edhe sigurimin e transparencës lidhur me funksionimin e tyre, veprimtarinë dhe objektin e tyre. SCI është pjesë e grupit të konsultimeve të projektligjit.

 

  • Më 4 qershor, SCI ju bashkua protestës së organizuar kundër abuzimit seksual me të mitur që erdhi si revoltë e shoqërisë kundrejt ngjarjes së ndodhur në një shkollë të Tiranës ku viktimë ishte një vajzë 15 vjeçare, ndërsa abuzuesi një 65 vjeçar, i cili punonte si roje në shkollën ku studionte vajza. Protesta mblodhi mijëra vetë, midis tyre fëmijë e të moshuar të cilët marshuan duke shfaqur reagimin e tyre me mesazhe në pankarta. Gjithashtu, në qytetin e Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Korccës etj., u organizuan protesta për të njëjtën kauzë me qëllim krijimin e një regjistri publik për profilet e abuzuesve, në mënyrë që të identifikohen lehtësisht.
  • SCI është pjesë e grupit të punës për zhillimin e Kodit të Standardeve për OSHC-të, iniciativë e ndërmarrë nga Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërine Civile në Shqipëri (NRC) dhe Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim. Gjatë periudhës prill-qershor janë organizuar 4 takime me përfaqësues të organizatave, me qëllim diskutimin, krijimin dhe vendosjen e një mekanizmi vetë-rregullues për sektorin, me qëllim rritjen e standardit të funksionimit të OShCve, cilësinë e veprimtarisë së tyre dhe rritjen e transparences.Më 16 qershor, SCI mori pjesë në fokus grupin e zhvilluar online mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Agjendës Digjitale organizuar nga Lëvizja MJAFT!. Zhvillimi i Agjendës Digjitale (AD) mundëson zhvillimin e aftësive të qytetarëve në përdorimin e shërbimeve qeveritare, të aksesueshme online, pa dyshuar në ruajtjen e të dhënave personale. Ky projekt synon të rrisë përfshirjen e shoqërisë civile në promovimin dhe zbatimin e kësaj agjende në vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

  • Më 23 qershor, SCI ishte pjesë e webinar-it “Cfarë do të thotë fillimi i bisedimeve të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? ” organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert me pjesëmarrjen e Z.Michael Roth, deputet, Ministër i Shtetit për Evropën, Gjermani; Z. Gent Cakaj, Ushtrues i Detyrës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shqipëri dhe Z.Nikola Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Për të mësuar më shumë mbi aktivitetin e SCI dhe për t’u angazhuar në veprimtaritë tona, mund të klikoni në faqen tonë: https://socialcontractinstitute.org.

 

 

 

 

 

Për pyetje e sugjerime, si dhe për t’u përfshirë në listën e shpërndarjes së Buletinit të SCI, ju lutem, na shkruani në adresën info@socialcontractinstitute.org  ose në socialcontractinstitute@gmail.com.

 

 

 

 

 

 

No comments

en_USEnglish